CAAHT Banner
 
Raporte nga Konferenca të KVKTNj
Raporte nga Programi KVKTNj
Grantet e KVKTNj
Informacion mbi Antitrafikimin
Histori nga Programi
Faqja Kryesore

 

 

Mbështetja e Aktiviteteve Antitrafik për Parandalimin në të Gjithë Shqipërinë

Nga veriu në jug, duke ndryshuar jetën për më mirë

Foto - Parashkollorët në Pukë marrin përparëse të bëra nga pjesëmarrëset e kurseve të formimit profesional për rrobaqepësi, të sponsorizuara nga projekti i USAID

Parashkollorët në Pukë marrin përparëse të bëra nga pjesëmarrëset e kurseve të formimit profesional për rrobaqepësi, të sponsorizuara nga projekti i USAID

Nga qyteti i largët verior i Pukës deri në vatrën kulturore të jugut të Shqipërisë, Gjirokastër, projekti antitrafik i USAID, KVKTNj e ka hedhur rrjetën e tij të gjerë me qëllim që të parandalojë vajzat dhe gratë e reja të bien pré e trafikuesve dhe taktikave të tyre mashtruese.

Projekti ka galvanizuar përpjekjet e OJF-ve lokale për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të siguruar mundësi që ndryshojnë jetën e atyre që rrezikojnë të trafikohen. OJF-të lokale, të udhëhequra nga KVKTNJ po marrin masa praktike për të luftuar trafikimin në qytetet dhe fshatrat e tyre. Nëpërmjet fushatave për rritjen e ndërgjegjësimit dhe aleancave ndërmjet shëndetësisë, arsimit dhe niveleve të ndryshme të qeverisjes, tashmë kuptohen më shumë kërcënimet e trafikimit të qënieve njerëzore në shoqërinë shqiptare.

Puka dhe Gjirokastra janë vetëm dy nga rreth dy duzina komunitetesh që kanë marrë asistencë nëpërmjet KVKTNj, por impakti i tij është i njohur në nivel kombëtar.

Që në fillimin e tij në 2004, USAID ka dhënë fonde për 22 OJF, që kanë marrë më shumë se 2 milionë USD përmes projektit KVKTNj.

Një nga këto OJF është “Në Ndihmë të Gruas Veriore Pukiane”, e themeluar nga një ish mësuese shkolle dhe punonjëse e bibliotekës, Bukurie Imeri. Organizata është i vetmi grup i këtij lloji në këtë rreth që siguron asistencë profesionale dhe asistenca të tjera për gratë e cënuara dhe të margjinalizuara. 

Me një popullsi prej rreth 14.000 banorë, rrethi i Pukës dhe fshatrat përreth, janë të arritshme vetëm nëpërmjet rrugëve gjarpëruese dhe të ngushta të maleve. Shumë familje mbijetojnë me bujqësinë e tokave të vogla dhe mundësitë e arsimimit dhe punësimit për të rinjtë në keto zona janë të kufizuara. Vajzat dhe gratë e reja të izoluara të Pukës kanë shumë pak akses në informacionin rreth rreziqeve të trafikimit.

Sipas të dhënave, trafikantët, perdorin taktika të njëjta, për viktimat e tyre që janë vajza dhe gra të reja që kanë probleme të ndryshme, papunësi, kanë arsim të kufizuar dhe probleme në shtëpi. Shumë janë të joshura për të shkuar në qytete të tjera në Shqipëri ose jashtë me djem të rinj që prentojnë të martohen me to ose t’ju gjejnë atyre një punë. Këto gra dhe vajza zbulojnë shumë vonë se janë tërhequr për të jetuar si prostituta.

Falë përpjekjeve të KVKTNj, shqipëtarët që jetojnë në Pukë janë familjarizuar gjithnjë e më shumë me kërcënimet që mbart fenomeni i trafikimit njerëzor.

Bardha dhe Marija jetojnë me prindërit e tyre dhe tre motra të tjera, rreth 20 minuta larg me makinë në rrugën kryesore nga Puka në fshat. Në shtëpine e kësaj familjeje shkohet nëpërmjet një rrugine me gurë. Në oborrin e shtepisë gjenden dy stola. Duke qëndruar nën hijen e gjetheve të vreshtave të rrushit me ngjyrë të purpurt, është nëna e tyre Dila, që atë ditë kish vënë një shall të zi në kokë dhe kish veshur një fustan tradicional dhe përparëse.

Skena të kujton një epokë tjetër, por që është gjithmonë prezente në Shqipëri, një vend i zënë midis traditës dhe tërheqjeve të modernizmit. Vajzat e saj ishin të veshura me bluza dhe pantallona xhins.

“Marija e kishte lënë shkollën” – tha Dila. “Ne kishim disa probleme në lagje dhe vendosëm të mos e dërgonim atë në shkollë. Isha e shqetësuar, sepse ajo është shumë e bukur. Bukuria (Imeri) erdhi dhe foli me ne. Ne ramë dakort ta dërgonim atë sërish në shkollë dhe për ta dërguar Bardhën në qendrën e Bukuries për të marrë pjesë ne kursin e rrobaqepësisë. Deri kur erdhi Bukuria, burri im dhe unë nuk mendonim se këto gjëra qenë të mundshme”.

Me asistencën e KVKTNJ, Në Ndihmë të Gruas Veriore Pukiane i ka siguruar 41 grave të reja kurse profesionale për njohuritë bazë të kompjuterit dhe të rrobaqepësisë. Tetë përfituese të kurseve profesionale punojnë në fabrika duke përfshirë katër prej tyre që kanë shkuar në Tiranë për të punuar në një fabrikë dhe dy prej tyre që ofrojnë shërbime rrobaqepsie në shtëpi. Programi ka sponsorizuar gjithashtu tre debate në televizion dhe një shfaqje mbi rreziqet e trafikimit.

“E gjithë kjo u arrit me ndihmën e fondeve të KVKTNJ” – tha Imeri. “Anetarët e komunitetit më kanë përkrahur mua dhe thanë se debatet televizive ishin diçka e mirë, pasi ne kemi vajza dhe ky infomacion është i rëndësishëm.

Me më shumë se 40.000 banorë, qyteti i Gjirokastrës shtrihet në pjesën jug-lindore të Shqipërisë afër kufirit me Greqinë, duke e bërë një pikë më të lehtë hyrje për trafikantët. Me fondet e KVKTNJ, Qendra Komunitare e Gjirokastrës (QKG) ka ngritur strehëzën e vetme tranzit për viktimat e trafikimit. Deri në momentin kur hapi Qendrën e Pritjes “Jetë dhe Shpresë”, viktimat e trafikimit vendoseshin nën kujdesin e policisë së antitrafikimit, ku thjesht dërgoheshin në stacion.

Shpesh viktimat e traumatizuara kishin qëndruar në polici të ndryshme përpara se të arrinin në Gjirokastër. Pjesa më e madhe e tyre nuk kishte pasur mundësi të laheshin, të hanin një vakt siç duhej dhe për të marrë rroba të pastra. Deri në momentin kur QKG hapi strehëzën tranzit, Policia e Gjirokastrës ishte diçka më mirë nga qelitë e policisë kufitare.

“Strehëza tranzit e QKG-së u hap në Mars 2006, më parë ne nuk kishim asnjë vend ku t’i dërgonim këto vajza. Ne nuk mund të siguronim ndihmën e duhur për to në stacion” - tha Armand Lelaj, Shefi i Policisë AntiTrafik të Gjirokastrës. “Për t’i ushqyer ato, oficerët blinin biskota ose sillnin ushqim nga mensa, për të cilin kishin paguar me paratë e tyre. Në shumicën e rasteve ne nuk mundeshim as të përfundonim pyetjet tona pasi viktimat nuk ishin të qeta.”

“Aksesi tek strehëza tranzit e QKG-së është një nga përfitimet më domethënëse të asistencës së KVKTNj”, - tha Lelaj.

Përpjekjet e koordinimit të KVKTNj në Gjirokastër kanë çuar në nënshkrimin e marrëveshjes së QKG-së me Drejtorinë Arsimore duke i lejuar ata të drejtojnë seanca për rritjen e ndërgjegjësimit në shkolla. Një marrëveshje me Zyrën e Punës e ka ndihmuar qendrën të gjejë punë për gratë e reja të trajnuara në kurset profesionale qe ajo ofron.

Ola, 23 vjeçe, është një histori e suksesshme e përpjekjeve parandaluese. Ajo mori pjesë në kursin e qëndisjes dhe tani bën mbulesa tavoline, perde, çarçafë, që shiten në Greqi. Ola e la shkollën pas klasës së tetë, pasi familja e saj nuk mund të paguante për arsimimin e saj në shkollë të mesme. Kur Idrizi, Drejtoresha e QKG, e gjeti Olën në shtëpinë e familjes së saj, ajo ishte e papunë, pa perspektivë për të ardhmen dhe cënohej të dërgohej jashtë shtetit nga trafikuesit.

“Nëse nuk do të ishte krijuar kjo mundësi, unë do të mendoja të shkoja diku tjetër për të gjetur punë, mendoja të shkoja në Greqi” – tha Ola, e ulur në makinën qepëse dhe duke bërë një mbulesë tavoline në klasën e QKG-së për aftësi rrobaqepsie dhe qëndisjeje.

Nëpërmjet KVKTNJ, QKG i ka siguruar 135 grave të reja në rrezik kurse profesionale për qëndisje, rrobaqepsi, dhe parukeri. Përpjekjet e tyre të parandalimit në shkollat lokale kanë arritur 2.800 studentë.

 

Shihni histori të tjera

Bottom Banner
USAID: From the American People The Albanian Initiative Coordinated Action Against Human Trafficking CAAHT Creative Associates International Inc. Shënim mbi Privatësinë Mospranim përgjegjësie Mundësi hyrjeje